Vetëvendosja “ndez” Prishtinën

Nga Reporter
Shkruar ne 13 May 2011 ora 12:54pm

Në kryeqytetin e Kosovës nisin demonstratat kundër vizitës së kryenegociatorit serb, Borko Stefanoviç, e kundër negociatave Prishtinë – Beograd
Vizita e shefit të shtabit të Ministrisë së Jashtme serbe, Borko Stefanoviçit në Prishtinë është pritur me lule vetëm në nivele të larta të qeverisë kosovare. Sa i përket qytetarëve, duket se ata ende nuk i kanë harruar vrasjet masive e spastrimet etnike.

Aktivistët e Vetëvendosjes ishin ata që u vunë në krye të revoltës qytetare, duke mos hezituar përballjen me qindra forca policore. Në krye të protestës, në mënyrë të përgjegjshme, u vendosën vetë udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje, e deputetët e saj.
Qindra aktivistë të Vetëvendosjes kanë ndërmarrë dje aksione proteste duke rrethuar ndërtesën e qeverisë, aty ku Borko Stefanoviç po takohej me një nga gjashtë zëvendëskryeministrat e Kosovës, Hajredin Kuçin. Më pas, protestat kanë vazhduar edhe gjatë takimit me zëvendëskryeministren tjetër, Edita Tahirin, për të vazhduar negociatat kontroversiale e të përfolura mes Beogradit e Prishtinës, negociata të cilat, sipas Vetëvendosjes, agjendën e kanë të fshehtë, e jo publike. E vetmja gjë që dihet për këto bisedime, është që Kosova përfaqësohet në nivel shumë të lartë, prej zëvendëskryeministres, ndërsa Serbia vendos në krye të negociatave një zyrtar të nivelit të katërt. Por sipas Vetëvendosjes edhe ky disnivel në përfaqësim përbën një turp për qeverinë e Thaçit, që gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve, por jo edhe aq atë të qytetarëve.

Në protesta, aktivistët e Vetëvendosjes janë përpjekur të rrethojnë ndërtesën e qeverisë, e me parrullat e tyre kanë bërë me dije se institucionet i përkasin popullit, e jo “matrapazëve që janë gati të shesin e të blejnë territorin për të cilin është derdhur gjak dëshmorësh”.

Në këto protesta policia ka ndërhyrë dhunshëm, si gjithnjë në mbrojtje të pacënueshmërisë së mureve, sepse me sa duket, edhe ne Prishtinë rend do të thotë mbivlerësim i mureve e xhamave krahasuar me mirëqenien e qytetarit dhe garantimin e të drejtës së tij për të protestuar.

Prej dhunës policore janë plagosur rëndë disa aktivistë, ndër ta Gëzon Kastrati, Astrit Fazliu, Zgjim Hyseni, Veton Dragusha, Nysret Azemi, Naim Jakaj e disa të tjerë. Është lënduar rëndë në kokë aktivisti Ben Rakoci. Policia ka goditur me gaz lotsjellës edhe ambulancën që transportonte të lënduarit për në repartet mjekësore të urgjencës. Ndër të lënduarit kanë qenë dhe deputetët Albin Kurti, Liburn Aliu e Glauk Konjufca.

Në protestën e Vetëvendosjes janë shtuar shumë qytetarë të Prishtinës, ende të ndjeshëm ndaj një shteti që s’ka kërkuar kurrë falje për krimet sistematike të kryera mbi shqiptarët, veç pse ishin shqiptarë, ndaj një shteti që edhe sot refuzon të njohë lirinë e popullit shqiptar për të vendosur vetë fatin e vet. Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe veprimtarë nga Shqipëria, ndër ta Dejona Mihali, Boiken Abazi, Leart Kola, etj.
Vetëvendosje: Politika zezë e Thaçit duhet të skuqet

Përmes protestave të sotme, Lëvizja Vetëvendosje, në një deklarate për media, vlerëson se edhe njëherë dëshmoi mospajtimin e saj me negociatat e padrejta e të dëmshme, joparimore dhe jotransparente që po zhvillohen në mes të qeverisë së Kosovës dhe asaj së Republikës së Serbisë.

“Në vend që Borko Stefanoviç dhe shefi i tij, Tadiç, të kërkojnë falje ndaj shqiptarëve për krimet e kryera në Kosovë, në vend që t’i arrestojnë kriminelët që i kanë kryer këto krime, në vend që Kosovës t’ia paguajnë dëmin e shkaktuar gjatë luftës, në vend që familjeve kosovare t’ju tregojnë se ku janë të zhdukurit, dhe në vend që të ndërpresin financimin e strukturave paralele në Kosovë, ata sot në mes të Prishtinës, në prani dhe pritje të qeverisë Thaçi, ripërsëriten qëndrimet e tyre kundër pavarësisë së Kosovës”.

“Republika e Serbisë, nuk është vetëm një shtet që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Republika e Serbisë është kundërshtari më i madh i Republikës së Kosovës. Shteti i Serbisë në krye me presidentin Tadiç, shpenzon miliona euro për ta penguar Kosovën, duke ia bllokuar mallrat, duke ia bllokuar njerëzit që të udhëtojnë, duke ia bllokuar veturat, duke e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, BERZH e shumë e shumë institucione të tjera, duke i bllokuar sportistët e Kosovës e deri të bllokimi i pjesëmarrjes në festivale muzikore. Borko Stefanoviç është përfaqësues i këtij shteti që e ka prioritet zhdukjen e shtetit të Kosovës”: shkruhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

“Sot, në vend që të mbrohet shteti i Kosovës nga Serbia, u mbrojt shteti i Serbisë nga deputetët e Republikës së Kosovës. Në mesin e protestuesve që u sulmuan nga policia, pa provokim nga protestuesit, ishin edhe deputetët, Albin Kurti, Glauk Konjufca e Liburn Aliu. Udhëheqja politike e Policisë së Kosovës, në krye me Bajram Rexhepin dhe Hashim Thaçin, më përpara japin urdhër për të sulmuar deputetë sesa për të zhbërë struktura paralele serbe”.

“Kjo politike e zezë sot kishte nevojë të skuqet. Ky poshtërim ndaj qytetarëve të Kosovës kishte nevojë të ndalet. Kjo për t’i treguar pushtetarëve tonë se qytetarët e Kosovës nuk do të heqin dorë aq lehtë nga pavarësia, sovraniteti dhe dinjiteti për të cilin sakrifikuan gjenerata të tëra. Të flitet sot për dëm material minimal që është shkaktuar nga protestuesit, kur dëmi politik i shkaktuar nga bisedimet është qindra herë më i madh, kur hajnitë dhe korrupsioni i qeveritarëve janë po ashtu me qindra herë më të mëdha është ikje nga përgjegjësia që na takon secilit prej neve për ta mbrojtur shtetin tonë”, përfundon deklarata.

Nga: Arbër Zaimi