Vetëvrasja, Timo Flloko: 20 minutat e fundit me Danin

Nga Dorjan
Shkruar ne 28 Pri 2012 ora 1:49pm

TIRANE-Vetëvrasja tragjike e Ardian Klosit e ka trishtuar pafund aktorin e madh Timo Flloko. Me dhimbje, Flloko rrëfen momentet e fundit që kaloi me publicistin, vetëm pak orë para se Dani siç e thërret ai, ndërmori aktin tragjik. Për aktorin e madh, miku i tij Ardian Klosi ishte një ishte një intelektual i klasit të parë, elitist në idetë e tija, një përkthyer i rangut të parë e një personalitet shumë dimensional. “Si njeri i madh që ishte, ai bëri një zgjidhje. Të mëdhenjtë nuk gjykohen për zgjidhjet që bëjnë”, – shprehet Timo Flloko. Aktori zbardh edhe mesazhin e fundit që publicisti la për të shoqen Jutta, përpara se të vetëvritej… 
Z.Flloko, jeni personi i fundit që e keni takuar të ndjerin Ardian Klosi. Si ishin momentet e fundit me të?
Vdekja ishte një fatalitet. Një gjë që në fakt, në çast nuk e besova dot dhe ende nuk e besoj. Unë zakonisht shkoj bëj shëtitje dhe tani që është hapur rruga e makinave shkoj drejt e mbërrij deri në skaj ku ndodhet shtëpia e Danit. Ndonjëherë e thërras. Ai ka një pemë jargavanësh në kopësht. Ndonjëherë e merrja në telefon dhe i thoja Dani më këput nja dy degë jargavanësh. Kemi qenë miq. Nganjëherë kemi bërë projekte bashkë, Hajnen, Gëten e Kafkën. E mora në telefon dje (të enjten); Dani je aty? Thotë; Po. Më këput nja dy degë. Kam frikë se janë tharë, po diçka ka mbetur. Mirë i thashë, po priji të gjata. Kaq ishte telefonata dhe shkoj i afrohem gardhit. Rreth orës 19:00 apo 19:30. Ishte paksa muzg. Ndërkohë dëgjoj Juttën, të shoqen (fotografja gjermane Jutta Benzenberg), që më thotë Timo hajde pije një kafe. Thashë jo, dua të vazhdoj që të eci. Nejse. Më tha dhe njëherë dhe u futa brenda. U ulëm, Dani solli jargavanët, Jutta këputi nja dy trëndafila. U ulëm dhe folëm. E pyeta a kishte qenë në Dardhë. Ishte kënaqur shumë, kishte një dy tri ditë që ishte kthyer. Tha Dardha është vend shumë i bukur. Nga lartësitë e saj mund të shohësh Olimpin. Më tha ke qenë ndonjëherë. Po kam qenë i thashë. Dardha, Qyteza e Sinica janë fshatra shumë të bukura. Biseda tjetër ishte se çfarë kishte bërë këto ditë. Tha se kam parë një ekspozitë interesante të Fatos Lubonjës. Folëm për Brehtin, të cilin donte ta ribënte në muajin maj, poezitë erotike të tij që kishim dhënë shfaqje në Black Box, në Akademinë e Arteve. Pastaj folëm për Faustin. E për mundësinë e zgjedhjes së Presidentit. Madje i thashë një moment: Ja ti mund të ishe një President potencial. Ai qeshi. Tha Jutta, po dhe unë kështu mendoj. Më mirë të jetë ndonjë femër tha. Nejse. Biseda rrodhi sërish për Faustin, për përkthimin e tij. Kjo ishte pak a shumë e gjitha, nja 15 apo 20 minuta. Një bisedë shumë e ngrohtë, por unë nuk munda të konstatoj në asnjë moment ndonjë trishtim apo melankoli në sytë e tij. Ishte shumë i qetë. Erdhi fjala për vajzën e tij (Katerina, vajza e vogël). E pyeta se çfarë do të vazhdojë. Më tha që vajza do të studiojë në Gjermani, mundet për regjizurë, mundet për diçka tjetër. Vajzën tjetër e ka në Paris (Ana, vajza e madhe). Ishte krejt normal. Më përcolli teksa dilja. I them ky vend është shumë i bukur. Edhe këtu është një natyrë e bukur. Aty tek porta, teksa po e mbyllte Jutta më thotë do zbresësh në qytet? Po i thashë unë. Po ti je me makinë e pyeta. Po më tha. Po mirë i thashë ti shko, se unë po eci sepse dua të eci. Mora lulet. Në momentin e fundit, Dani mbylli portën, i vuri ganxhën. Jutta doli, u nis me makinë. Unë i prek dorën dhe i thashë Dani më merr në telefon sepse jam i lirë këto kohë, kur të duash më merr. Gjithmonë, që kur morëm vesh që ndodhi shtrimi i tij në spital, kam dashur të tregoj sigurisht më shumë dashuri ndaj tij. Ai ishte i ‘hollë’ dhe e kuptonte. Në fund i thashë, këto jargavanët si diçka nga Fausti. Qeshi dhe më pa, mirë Timo do të shihemi më tha. Ky ishte fundi. Unë mora rrugën tatëpjetë. Pas afër gjysmë ore më merr motra e tij Mira dhe më tha se çfarë kishte ndodhur.
Nga shtrimi në spital e deri në momentin e fundit ju kishte lënë të kuptonit se do të shkonte deri në këtë pikë?
Kishim folur. Atëherë më kishte thënë se ka ekzagjerim në këtë se çfarë thuhet. Nuk kam dashur të flas në detaje për sëmundjen e tij dhe nuk kam folur në fakt absolutisht për të. Ka qenë një çështje “No comment!”. Sigurisht nuk e kam hapur atë temë. I kam thënë je mirë?. Po jam mirë, ka thënë. Kishte nisur të ecte me biçikletë, të rikuperohej. Tani sëmundjet janë të paparashikueshme. Unë do doja të thoja këtë gjë, ai ishte një intelektual i klasit të parë, elitist në idetë e tija, një përkthyes i rangut të parë, një personalitet shumë dimensional dhe si njeri i madh që ishte, ai bëri një zgjidhje. Të mëdhenjtë nuk gjykohen për zgjidhjet që bëjnë. Sigurisht është fatalitet ikja e tij, jo vetëm për të afërmit, miqtë, por edhe për intelektualët shqiptarë, për letrat shqipe, për të ardhmen. Por ai e la hijen e personalitetit të tij që është e padiskutueshme. Iku i ri, 55 vjeç me atë kondicion fizik mund të jetonte shumë më gjatë.
Mesazhin e fundit për kë e la z.Klosi përpara se të kryente aktin tragjik?
Ai la një mesazh të shoqes. Mesazhi ishte ky. Unë po e perifrazoj siç ma tha e motra. “Kaluam shumë bukur. Ishte fjala për atë pak kohë që kaluam aty. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh eja pa vajzën”. Ky ka qenë mesazhi. Këtë si kohë duhet t’ia ketë çuar në kohën ka vendosur të kryejë aktin; vetëvrasjen fatale.

Pasi u largua Flloko nga banesa e Klosit
E bija Katerina, e bija e Ardian Klosit, e ka telefonuar e para policinë duke njoftuar se babai i saj do të vetëvritej. Telefonata në polici është bërë në orën 21:00 të mbrëmjes dhe duket se përkon pikërisht me momentin kur e shoqja e publicistit, Jutta Benzenberg, mori një mesazh ku Ardiani i rrëfente se do të vetëvritej, akt të cilin e ka realizuar deri në momentin kur familjarët kanë mbërritur në shtëpi.

Teksti i mesazhit që Ardian Klosi i dërgoi të shoqes Juttës para se të vetëvritej:
“Kaluam shumë bukur. Ishte fjala për atë pak kohë që kaluam aty. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh eja pa vajzën”.

Publicisti Ardian Klosi u vetëvar rreth orës 21:00 të së enjtes në banesën e tij në afërsi të Liqenit Artificial, në një ambient të përshtatur si depo. Sipas policisë nga hetimet e para rezulton se 55-vjeçari kishte disa kohë që vuante nga gjendja depresive, si dhe kishte tentuar disa herë të vetëvritej. Pak kohë më parë, Klosi u shtrua në spital pasi kishte pirë një sasi të madhe ilaçesh, por për fat ndihma e shpejtë mjekësore e shpëtoi nga vdekja. Mbrëmjen e së enjtes sapo është gjendur i vetëm në shtëpi, ka ndërmarrë aktin tragjik të vetësakrifikimit. Homazhet në nderim të publicistit Ardian Klosi do të mbahen rreth orës 12:00-14:00 tek Bibloteka Kombëtare. Në orën 14:00, trupi i pajetë i Klosit do të niset drejt varrezave të Sharrës, aty ku do të prehet përjetësisht.