VIZAT, UDHËRRËFYESI MERRET NË FUND TË PRANVERËS

Nga Dorjan
Shkruar ne 08 Maj 2012 ora 2:14pm

PRISHTINE- Deri në fund të pranverës pritet që Prishtina zyrtare ta marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave. Siç raporton gazeta Zëri, të paktën ky është optimizmi i Qeverisë së Kosovës, por që partitë politike opozitare nuk janë edhe aq optimiste në deklarimet e zyrtarëve të ekzekutivit, ndonëse shpresojnë se Bashkimi Evropian do ta përmbyllë këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar të hënën para anëtarëve të kabinetit qeveritar se Kosova po shënon progres të vazhdueshëm drejt integrimit evropian dhe, sipas tij, së shpejti pritet që BE-ja ta dorëzojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizimi-asocimit.

“Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta në afat rekord dhe do të punojmë për implementimin e shpejtë dhe të plotë të kritereve demokratike. Andaj, kam besim të plotë se edhe Brukseli nuk do të vonohet dhe Kosova do të trajtohet njësoj sikur të gjitha vendet tjera të rajonit”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, agjenda evropiane e Kosovës paraqet pikën unike të politikës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

E ndërkaq, numri dy i qeverisë kosovare, Hajredin Kuçi, ka shfaqur shpresën se Bashkimi Evropian do t’u përmbahet zotimeve se deri në fund të pranverës, Kosova ta marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.

Por, përfaqësuesit e subjekteve politike nuk u besojnë deklaratave të qeveritarëve kosovarë, derisa shfaqin shpresën se BE-ja do të përmbyllë këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur.