“Vizita e damës plakë” fillon turneun nga Shkodra

Nga Dorjan
Shkruar ne 07 Maj 2012 ora 6:10pm

TIRANË- Pas vizitës në Teatrin “Bylis” të Fierit, Dama plakë, Tinka Kurti, do të vizitojë Teatrin “Migjeni”, në Shkodër.
Komedia Tragjike “Vizita e damës plakë”, e regjisorit Kiço Londo, ka filluar turneun nëpër Shqipëri dhe në datat 10 dhe 11 maj do të jetë në Shkodër. Mjeshtrja e madhe Tinka Kurti do të rikthehet për të marrë duartrokitje në shtëpinë e saj, në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, aty ku për rreth 50 vjet interpretoi rreth 120 role. 

Kurti do të interpretojë personazhin e Klerit, që e dëbuan shumë të re nga qyteti i Gylenit, i cili e mirëpret me ceremoni tani që është bërë një damë plakë. Por, ajo kërkon vetëm hakmarrje për mënyrën se si njerëzit e këtij qyteti janë sjellë me të vite e vite më parë.
Vepra ngre pikëpyetjen nëse është e mundur të blihet drejtësia në njërën anë dhe në anën tjetër nëse vrasja dhe hakmarrja personale mund ta çojne drejtesinë në vend. Fuqia e dramës qëndron veçanërisht në skemën e mundësisë së dhënies së drejtesisë për një milionë dollarë.
Në role të tjera interpretojnë aktorët Myzafer Zifla, Astrit Hasani, Deshmir Halitaj, Marvin Tafaj, Miola Sitaj, Dori Çaushi, Shpëtim Shehu, Hasan Bregu, Klajdi Marku, Todi Llupi, Dafina Llupi dhe Eni Celibashi.

Teatri “Bylis”, në bashkëpunim me Teatrin Shëtitës ka filluar kështu lëvizjen nëpër Shqipëri të dy produksioneve të tij, nën regjinë e Kiço Londos, “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka” dhe “Vizita e damës plakë”.

“Vizita e Damës Plakë” e pati premierën në Zyrih në vitin 1956. Dyrenmat ishte 35 vjeç në atë kohë, dhe vënia në skenë e dramës i siguroi atij njohje të menjëhershme ndërkombëtare, duke i atribuar reputacionin e dramaturgut.