VJEDHJA, VEPRA MË E PËRHAPUR NË GJIROKASTËR

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Mar 2012 ora 3:32pm

GJIROKASTËR- “Vjedhja” është vepra penale më e përhapur në rrethin e Gjirokastrës, e ndjekur nga “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Kështu rezulton në bazë të shifrave të publikuara nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor për vitin e kaluar.

Sipas këtij institucioni, për vitin 2011, janë regjistruar 3018 çështje gjyqësore. “Janë përfunduar brenda vitit 2733 çështje të regjistruara, ose 90%, dhe janë mbartur për vitin 2012, 284 çështje ose 10%.Nga numri i çështjeve të regjistruara, 2193 ose 73% janë çështje civile, kurse 825 ose 27% janë çështje penale”.

Kështu, 20 për qind të veprave penale ose e thënë ndryshe 69 raste e zë “Vjedhja”, për të vijuar me 12% ose 40 raste që janë vepra penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe 10% ose 34 raste, janë vepra penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, “harta” e veprave penale megjithëse në përqindje më të ulët, zgjerohet me “Falsifikim dokumentesh”, “Dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Shpërdorim detyre”. Ndërsa përsa u përket çështjeve civile, vendin e tretë e zënë divorcet.

Kështu, gjatë vitit të kaluar në rrethin e Gjirokastrës kanë zgjidhur martesë 201 çifte dhe këto procese gjyqësore zënë 9 për qind të volumit të përgjithshëm të çështjeve civile.