Vlorë, arrestohen 7 zyrtarë për shpërdorim detyre, 19 mjekë nën hetim

Nga Dorjan
Shkruar ne 09 Pri 2012 ora 5:58pm

VLORE - Policia e Vlorës prangosi 7 zyrtarë të institucioneve lokale, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe manipulim në dhënien e dëshmive të aftësisë për drejtimin e automjetit.

Policia e Vlorës bëri të ditur se në pranga kanë rënë shtetasit Kleansi Peci, përgjegjës i tatim/taksave në Vlorë, Lirian Selmanaj kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar, Gjergji Dhiamanti sekretar i Kryqit të Kuq, Limoz Alia administrator dhe instruktor i një autoshkolle në Vlorë, Altin Demiri instruktor i një tjetër autoshkolle në këtë qytet. 

Në pranga kanë rënë edhe Xhevair Basha ish -kryetar i komisionit për pajisjen me dëshmi aftësie për drejtimin e automjeteve në Vlorë, aktualisht me të njëjtën detyrë në Gjirokastër dhe Luan Troka, ish- anëtar i komisionit, aktualisht me të njëjtën detyrë në Fier.

Ndërkohë mësohet se po hetohen në gjendje të lirë 19 mjekë të komisioneve ligjore që kanë lëshuar raporte, për përfitimin e dëshmive të aftësisë për përdorimin e automjeteve. Aksioni i policisë është shtrirë në qytetet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.