Vlorë, bllokohen 6.3 kg kanabis në port, kishte destinacion Italinë

Nga Dorjan
Shkruar ne 03 Apr 2012 ora 1:53pm

VLORË – Policia e Vlorës bllokoi sot në portin e këtij qyteti një sasi prej 6.3 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, që do të trafikohej drejt Italisë, ndërkohë që po punon për të gjetur personat, që kanë lidhje me këtë ngjarje.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se,”lënda narkotike u zbulua në një nga autobuzat e kompanisë “Arjani” Travel, që operon në linjën Fier-Itali, duke përshkuar linjën detare Vlorë-Brindisi”.

“Nga kontrolli i ushtruar në këtë autobus brenda një kutie dërrase e përshtatur si kaldajë, u gjetën 6 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të llojit kannabis sativa, në një masë prej 6.3 kg””, saktësuan burimet zyrtare të policisë.

Sipas tyre, zbulimi i lëndës narkotike erdhi si rrjedhim i kontrollit të imtësishëm të autobusit e targa AA 508 BE, pronë e kompanisë “Arjani” Travel, na zbatim të procedurave të punës për analizën e riskut.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punon për individualizimin e përgjegjsisë dhe identifikimin e kapjen e dërguesit të kësaj lënde narkotike dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.