Vlorë, pranga 38-vjeçarit, u dënua në 2007-n me 8 vite burg

Nga Dinejda
Shkruar ne 27 Mar 2012 ora 6:18pm

Vlorë – Nga një operacion i policisë i koduar “Velca”, policia e Vlorës ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim.Alket Llanaj, 38-vjeç, banues në fshatin Velcë të Rrethit Vlorë. Kapja dhe arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me një vendim të datës 12.11.2007 e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.Në vitin 2005, ky shtetas në bashkëpunim me disa persona të tjerë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë ka tentuar të trafikojë 1146 kg lëndë narkotike kanabis sativa, për në shtetin grek, e cila është gjetur nga kontrolli i ushtruar në kokën e një kamioni. Kapja e këtij shtetasi u bë e mundur ditën e sotme në fshatin Velcë pas informacioneve të marra në rrugë operative pasi ky shtetas prej kohësh fshihej në zonat rurale të fshatrave të rrethit Vlorë. Gjithashtu nga Strukturat e Luftës Kundër Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë ditën e djeshme kanë arrestuar një 36-vjeçar.Në pranga ra Admir Çakalli, 36-vjeç, banues në Konispol. Gjatë kontrollit, në një thes janë gjetur 8 pako cilindrike të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit kanabis sativa me një peshë të përgjithshme prej 8.4 kg. Menjëherë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit të mësipërm. Materialet procedurale I kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.