VLORË, SHTATË TË ARRESTUAR PËR GRABITJE

Nga Dorjan
Shkruar ne 11 Pri 2012 ora 5:02pm

Në qytetin e Vlorës janë arrestuar 7 persona, të cilët akuzohen se kanë vepruar si bandë për kryerjen e disa grabitjeve. Në kuadër të operacionit “Sdida” janë dhënë masat e “arrestit me burg” për Armando Dumani, 30 vjeç, Sokol Dhima, 23 vjeç, Arlund Hitaj, 27 vjeç dhe Arbër Katiaj, 28 vjeç, të katërt banues në Vlorë.

Në bazë të hetimeve të kryera rezulton se këta persona në bashkëpunim, gjatë periudhës së viteve 2010, 2011 dhe 2012, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës  në 7 raste, banka dhe lokale lojërash fati.

Këta katër persona në këto raste kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, të maskuar dhe të pajisur me armë zjarri.  Ndërsa Ermir Merkollari, 24 vjeç, Endri Rrokaj, 26 vjeç dhe Bledar Aliko, 27 vjeç, i kanë ndihmuar në kryerjen e grabitjeve, në rolin e shoferëve dhe të vëzhgimit të ambienteve që do të grabisnin.

Në cilësinë provës materiale janë sekuestruar, dy armë zjarri tip pistoleta TT model 54 si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh, 8 automjete të përdorura nga autorët për realizimin e krimeve, maska dhe doreza të përdorura nga autorët dhe 14 telefona celularë.

Nga krahasimi i ekspertimeve balistike ka rezultuar se armët  e gjetura janë ato të përdorura nga autorët për kryerjen e krimeve. Hetimet vazhdojnë, pasi dyshohet se këta persona janë përfshirë edhe në vepra të tjera penale.