Voton shqiptari atë që vret fëmijët e një shqiptari tjetër?

Nga Reporter
Shkruar ne 23 Maj 2011 ora 1:14pm

Mbështetja blihet. Për të fituar “mbështetjen” e fqinjëve, kjo qeveri bëri çdo gjë antikombëtare, që mund të bëhej. Në mes të tjerash dorëzoi Kishën Autoqefale Shqiptare në duar të grekëve. Dorëzoi Shqipërinë në një klub fetar, që po mbështet Serbinë. Tani Greqisë nuk i mjafton vetëm kisha jonë, prandaj i premtoi edhe detin, ndoshta edhe pak tokë. Për të evituar mërinë e Berluskonit për shkak të flirtit ortodoks dhe aziatik, u gjunjëzua edhe në Vatikan. Në Romë i premtoi Berluskonit tokën shqiptare për bërllokun (plehrat) e tyre. Italia është së paku dhjetë herë më e madhe se Shqipëria dhe nuk paska vend për hedhurinat e veta!

Arsyet se pse Salehu jon sillet si hamshor dhe ndërzen skenën politike shqiptare, janë të thjeshta: ai din se i falen të gjitha veprat penale. Ai din se për tre mijë të vrarë nuk u arrestua, e as për rrënimin e shtetit, jo. Ai din se çdo vepër penale do t’ i falet, si kur vjen nga fati apo Zoti, prandaj bën edhe krime të reja apo përgatiten për t’ i përmbaruar ato. Ai din se në komunizëm funksionarët e lartë nuk ndiqen. Në demokraci po, por ne nuk jemi akoma aty.

Ai dhe Luli i Vocërr fituan vota edhe pse vranë katër shqiptarë jashtë oborrit të Kryeministrisë. Jeta e shqiptarit nuk ka vlerë. U vranë nga komunistët, vritet edhe nga të ashtuquajturit demokrat. Dhe, u shërben qëllimeve të njëjta: ruajtjes së despotizmit. Ai vrau nga frika dhe trishtimi i një puçi, që imagjinonte vetëm ai, me armë që shihte dhe perceptonte vetëm ai. Armët nuk i tregoi kurrë në televizor si i përshkroi imtësisht dhe me shumë pasion dhe me ankth në zemër. Me plot trishtim!

Për fat të keq një pjesë e popullit shqiptar ende nuk voton ata që janë në dobi të veten, por ata që u imponohen. Nejse. Historia do të dëshmojë se Saliu ishte makthi, që i zuri frymën Shqipërisë: ky është grabitës i pranverës dhe shpresës së madhe shqiptare. Ky rrënoi kulturën demokratike në vend, në të gjitha fushat. Në një demokraci të vërtetë, pas vrasjes së katër vetave, një Sali nuk do t’ i kishte fituar as dhjetë për qind të votave, por ja që elektorati shqiptar rehabiliton dhe voton ata që kanë vrarë fëmijët e dikujt tjetër. Të kundërshtarit politik, që përjetohet si armik! Kjo është Shqipëria e sotme!

Votat e fituar nga (BB) Basha dhe Berisha flasin për hutinë e elektoratit shqiptar, për irracionalitetin e tij, aftësinë gjykuese dhe mungesën tërësore të empatisë. Madje edhe për nostalgjinë komuniste dhe despotike. Populli shqiptar akoma nuk ka kuptuar se vota në demokraci shërben për të dënuar politikanët e paaftë. Këtë herë shpërbleu!
Perëndimi do të hesht sepse e din mirë se Salehu jonë është në gjendje ta ndezë Shqipërinë edhe një herë për karrige; të vrasë mijëra e të prodhojë dhjetëra mijëra refugjat. Kjo është arsyeja pse ata heshtin dhe durojnë Lukashenkon tonë.

Ashtu si duruan Gadafin me dekada për interesa të veta. Avokatë të Saliut do të bëhen: Greqia, Italia dhe Serbia. Greqia dhe Italia i drejtohen SHBA-së dhe Saliu fiton. Ky u bëri koncesione atyre, ata do ta ndihmojnë tani. Nëse kjo punë lihet vetëm në dorë të Perëndimit, Perëndimi do ta durojë deri sa të vdesë vetë, sepse ata nuk dinë si të sillen me një vend, që kanë pranuar në NATO, por që pas çdo zgjedhje shteti gjendet para shembjes totale dhe para luftës civile. Dhe fundja në darkë, ata flenë në shtëpitë e tyre dhe ne në tonat.

Nga: Naser Aliu