Vrasja e argjendarit, i arrestuari gabimisht: Gruaja humbi fëmijën.

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Pri 2012 ora 1:08pm

TIRANE - Nexhat Mulaj nga zëri duket i qetë. Jo se nuk ka qenë i tillë, por burgu i padrejtë e trazoi. Vrasja e babait, Isufit, motrës Valdete dhe xhaxhallarëve në Luftën Çlirimtare të Kosovës ka qenë një goditje e rëndë për të, por e ka bërë më të pjekur dhe me të përgjegjshëm për të qënë një njeri korrekt dhe i ndershëm. Plaga për humbjen e njerëzve të dashur që derdhën gjakun për atdheun, nuk ishte mbyllur ende kur Nexhat Mulajt iu desh të përballej me një dramë të rëndë.

Të kyçej prapa hekurave si i dyshuar për një vrasje, të cilën nuk e kishte kryer. Është mesditë kur nga ana tjetër e telefonit dëgjohet një zë. Nexhat Mulaj, sapo i prezantohesh të falenderon që ke gjetur kohë për t’u interesuar për çështjen e tij. “Nuk kam gisht në vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj. Se kam bërë atë krim”, – u kishte thënë me të madhe hetuesve. 

Nuk ia vunë veshin. Qëndroi 30 ditë prapa hekurave, derisa prokuroria u bind në pafajësinë e tij. Por, sot është vështirë të heqësh njollën e vrasësit. Për fat të Nexhatit, vrasësi i Rrapo Sinanajt u vu në pranga pak ditë më parë. Viktor Gushi, një vrasës serial mjaft gjakftohtë pranoi se ishte ai që e ekzekutoi Sinanajn. “Më në fund doli e vërteta”, – thotë Nexhati. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai rrëfen historinë e tij të trishtë, nga vrasja e babait, motrës, arrestimi i padrejtë, sëmundja e nënës dhe humbja e fëmijës së tij.