VUNË MILIONAT NË PIRAMIDË: NA MASHTROI ZVICERANIA DHE I DASHURI, AGJENT I SHISH

Nga Dorjan
Shkruar ne 15 Pri 2012 ora 2:26pm

Viktimat e skemës së ngritur të mashtrimit nga Anjeza Soma, një grua zvicerane, vazhdojnë të shtohen në listën e denoncuesve. Elinor Refugjati, 37 vjeç, me profesion mësues fizike, nga Tirana, aktualisht është drejtues teknik i kompanisë “VA& EL Energy”, është gjithashtu një nga personat që ka pretendime në lidhje me mosshlyerjen e pagesave dhe detyrimeve ndaj kompanisë së tij. Ai flet në bazë të një kontrate me Anjezë Somën, përfaqësuese dhe administratore “IXY Prelude Evolution”. Kjo e fundit u denoncua dy ditë më parë në gazetën “Shekulli”, nga Dashnor Zani, me profesion jurist, i cili më parë kishte depozituar një kallëzim penal në Prokuorirnë e Tiranës për Anjezën, e njohur edhe me emrin Mari Fure.

Ajo pretendonte se znj. Anjezë Soma nuk i ka kthyer atij një shumë parash prej 50 mijë euro të marra borxh që më pas kishte premtuar se do t’ia kthente me përqindje deri në muajin shtator të këtij viti. Denoncuesi tjetër, Elinor Refugjati, gjatë një komunikimi me gazetën “Shekulli”, denoncoi, sipas tij, mashtrimet e Anjezë Foures, gruas nga Zvicra, që tashmë akuzohet edhe nga persona të tjerë, se ajo iu ka marrë paratë, apo nuk i ka shlyer detyrimet për punën e kryer. Refugjati, tha për “Shekullin”, se Anjeza i detyrohet atij afërisht 300 mijë euro, për të cilat ai ka kryer punime të ndryshme që ka kryer në ambientet e biznesit të saj, në një qendër tregtare në Jug-Lindje të Tiranës. Bashkë me Elinor Refugjatin, për gazetën “Shekulli”, denoncoi Eduart Daka, pedagog, në fakultetin Ekonomik në Elbasan. Ky i fundit pohoi për “Shekullin” se zvicerania me profesion ekonomiste i ka marrë atij një shumë prej 30 milionë lekësh të cilat nuk ia ka kthyer. Po ashtu, ai thotë se, ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për Zonjën Fure, për akuzën e mashtrimit dhe vjedhjes me anë të mashtrimit.

 

Si je njohur me Anjezën?

Lidhja me të ka qenë Valer Lubonja, rreth muajit gusht të vitit të kaluar. Na kërkoi të kryenim punimet në te kinemaja që ndodhet në qendrën tregtare në Lundër. Ramë dakord me çmimet për njësi dhe punimet që do të kryheshin dhe që janë përcaktuar edhe në kontratën që ne kemi nënshkruar si dhe në situacionet që kanë marrë në dorëzim, të cilat i kanë vulosur po vetë si të rregullta.

 

Çfarë vlere kishin punimet dhe kontrata?

Vlera kapte shifrën e 336 mijë eurove me TVSH. Janë kryer punime mekanike, vendosje e pajisjeve të aspirimit, kondicionimit dhe sistemit antizjarr, vlera e të cilave kapte shifrën e rreth 110 mijë eurove.  Po kështu, janë edhe Punimet elektrike, përfshihet vendosja e kabllove, kanelinave, kabina elektrike, të cilat kapin vlerën e rreth 110 mijë eurove. Gjithashtu kemi kryer edhe punimet civile, në të cilat përfshihen, ndarja e hapësirave me gips, vendosja e pllakave, tualeti, bari, lyerja me bojë, vendosja e dyerve të aluminit, portës kryesore dhe vetratave.

 

Kur e keni nënshkruar kontratën dhe nisët punimet ?

Kontrata është nënshkruar me 9 shtator të vitit të kaluar, mes “VA& EL Energy” të përfaqësuar nga Valer Lubonja, në atë kohë Drejtor Ekzekutiv i kompanisë, si dhe Anjezë Soma-s, administratore e “IXY Prelude Evolution”. Punimet nisën menjëherë për të zbatuar korrektësisht kontratën. Me dorëzimin e situacioneve të para, rreth tetorit, nisën problemet e pagesave. Ne kërkuam të ndërprisnim punimet, pasi ato nuk u paguan jo vetëm brenda 48 orëve, siç parashikonte kontrata, por as deri në një muaj më vonë.

 

I ndërpretë punimet, apo vazhduat punën ?

I ndërpremë punimet për një ditë, por pas një bisede tjetër, nëpërmjet së cilës na u premtua shlyerja e detyrimeve, rinisëm punimet dhe i mbyllëm të gjitha ato me mendimin që do të paguheshin para vitit të ri. Punimet i mbyllëm në fund të nëntorit, një ditë para hapjes. Duke qenë se administratorja nuk na pagoi detyrimet, ne bëmë një bisedë tjetër, nëpërmjet së cilës ajo na premtoi që do t’i shlyente detyrimet me 9 janar të këtij viti.

 

Ju pagoi ndonjë shumë parash në këtë datë ?

Pas vitit të ri ajo u rikthye në Shqipëri, pasi kishte qenë në Zvicër. Në këtë datë, në takimin që patëm me të tek “Sky Tower”, ajo na komunikoi që jo vetëm nuk do të na paguante, por edhe na kërkonte shuma të tjera parash të cilat na kishte paguar. Pas kësaj kohe, kemi tentuar të kontaktojmë me Anjezën, por ajo vetë nuk pranoi të na takonte dhe po ashtu edhe punonjësit e kompanisë nuk donin të na takonin. Që nga ajo kohë, ne nisëm shkresat drejt saj për të gjetur një marrëveshje me të, me qëllim shlyerjen e detyrimeve, por ajo refuzoi të përgjigjej në të gjitha rastet, duke mos dashur edhe të na paguajë. Në këto kushte unë i jam drejtuar Prokurorisë së Tiranës, ku kam depozituar një kallëzim në muajin shkurt të këtij viti. Pas denoncimit që ne bëmë në Prokurorinë e Tiranës, përfaqësuesit e “IXY Prelude Evolution”, na paditën në Gjykatë me qëllim për të vonuar dhe fituar kohë për detyrimet që na kanë. Pas këtij veprimi, u paraqitëm në proces gjyqësor dhe gjithashtu bëmë një padi civile ndaj Anjezës, duke pritur që të zgjidhet në mënyrë të drejtë kjo çështje.

 

A ka paraqitur ndonjë pretendim Anjezë Soma, në lidhje me faktin se për se nuk dëshironte t’ju shlyente detyrimet që ju thoni se ju ka ?

Pretendimet dolën pasi ishte mbaruar puna nga ana jonë. Ata kishin firmosur situacionin e punës së realizuar në mënyrë të pjesshme, por jo për të gjithë shumën sepse ne nuk premë fatura të tjera për shkak se ajo nuk po paguante. Ngriheshin pretendime se punime të ndryshme, si tualetet, boja, nuk ishin në rregull. duke pasur një pretendim të tillë, nga administratorja ne iu zbritëm atyre afërsisht 50 mijë euro nga detyrimet, por se ajo duhej të paguante pjesën e mbetur. Në asnjë rast pavarësisht pretendimeve, të mësipërme nga ana e “IXY Prelude Evolution”, pretendimet nuk janë ngritur gjatë punimeve, por pas dorëzimit të tyre.

 

 

Pedagogu i Ekonomikut: Anjeza mashtronte në emër kryeministrit dhe të ambasadorëve

Eduard Dake, profesori i Fakultetit të Ekonimisë në Universitetin e Elbasanit, gjithashtu denoncoi dje për “Shekullin” veprimet e zviceranes Anjezë Soma ose Mari Fure.

 

Si jeni njohur me Anjezë Somën ?

Jam njohur nëpërmjet mikut tim Genti Roshit, që në kohën kur ai punonte në SHISH. Prezantimi ndodhi para rreth tre vitesh tek “Sky Tower”, në zyrat e firmës “Crofin Swiss Menagement”, në katin e 13. Genti ma prezantoi si një investitore dhe afariste zvicerane që kishte ardhur për të kredituar shoqëri të ndryshme që kërkonin shuma deri në disa miliona euro. Ndihma për kompanitë supozonte në asistencën ndaj tyre për të marrë kredi në banka të ndryshme jashtë vendit. E gjitha kjo duhej të bëhej kundrejt një pagese që shkonte nga disa dhjetëra deri në 100 mijë euro për rast. Thuajse në të gjithë rastet, kjo femër mashtronte dhe në asnjë rast nuk ka nxjerrë kredi ndaj tregtarëve apo subjekteve të ndryshme që kërkonin kredi. Gjatë kësaj kohe ne mbajtëm marrëdhënie normale.

 

Cili ishte qëllimi i takimit tuaj me Anjezën ?

Takimet e para me Anjezën ishin miqësore dhe pa ndonjë qëllim, por ndodhën për shkak të njohjes time me Genti Roshin, të dashurin e Anjezës. Gjatë kësaj kohe, ajo në të gjitha rastet sillej si njeri që kishte para, bënte shpenzime të majme, bënte dhurata të shtrenjta, për t’iu krijuar njerëzve mendimin se ajo kishte para, duke krijuar joshje ndaj klientëve të ndryshëm, me qëllim për t’iu marrë paratë. Në të vërtetë, ajo nuk kishte asnjë qindarkë në xhep. Mjetet, i kishte me qira, pronat me qira, makineritë i kishte blerë me Leasing. (formë kreditimi).

 

Si ndodhi që i dhatë paratë?

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Anjeza nisi ndërtimin e kinemasë “IXY World”, pjesë e kompanisë së saj, “IXY Prelude Evolution”. Për këtë qëllim ajo po kërkonte para me interesa, ose duke premtuar se njeriun që do të bënte financimin ta bënte aksioner në kompaninë e saj. Gjatë kësaj kohe ka pasur vështirësi financiare, me kompaninë nënkontraktuese “VA&EL Energy” dhe me shumë individë e kompani të tjera nënkotraktore që kryenin punimet në ambientet e saj. Në këto kushte ajo më kërkoi që ta ndihmoja me një shumë parash prej 22 mijë eurosh ose 30 milionë lekë, për të paguar firmën “VA&EL Energy”, për shkak kërcënimit se do t’i bllokoheshin punimet. Këtë shumë parash, ajo duhet të ma kthente brenda muajit janar të këtij viti. Nuk kishim bërë kontratë, por i dhashë paratë nëpërmjet me një marrëveshje xhentëlmenësh, pa kontratë të nënshkruar. Duke qenë se isha mik i të dashurit të saj, krijova besim dhe vendosa t’ia jap paratë. Por në muajin janar të këtij viti, jo vetëm që nuk m’i dha, por edhe nuk pranoi të m’i njihte.

 

Si vepruat më tej ?

Pas kalimit të afatit të pagesës së borxhit, për të shmangur një përplasje apo konfrontim fizik, iu drejtova prokurorisë së rrethit të Tiranës nëpërmjet një kallëzimi penal, me datën 26 janar të këtij viti. Pas afërsisht dy muaj verifikimesh, vendosi regjistrimin e procedimit penal dhe nisjen e hetimeve për çështjen përkatëse. Në Prokurorinë e Tiranës, denoncova historinë e mashtrimit të Anjezë Furesë (Somma), Genti Roshit, Mikela Tërpos, asistentes së Anjezës.

 

Po këta të dy, për çfarë?

Genti kishte hyrë garant tek unë për marrjen e parave, por jo vetëm tek unë. Ndërsa, Mikela ishte personi që merrte paratë në dorë dhe më llogarinë e saj në bankë, në një prej tyre të nivelit të dytë në kryeqytet, duke zbatuar të gjitha porositë e Anjezës. Veç të tjerash, Anjeza përdorte edhe stafin tjetër të saj për të mbrojtur dhe fshehur interesat dhe qëllimet e saj mashtruese.

 

A negociuat ndonjëherë me Anjezën, për të marrë paratë tuaja ?

Po, kam negociuar disa herë me Gentin nëpërmjet disa miqve të mi, por edhe miqve tanë të përbashkët. Por ata jo vetëm që nuk pranuan të bisedojnë dhe të më paguajë, por edhe ka kërcënuar se do të fusë persona të tretë me të kaluar kriminale për të më bërë shantazh dhe kërcënuar fizikisht.

 

A i njihni këta persona ?

Sigurisht që i njoh se cilët janë. Por isha i bindur se ata nuk donin të bënin lojën e një gruaje mashtruese dhe të dashurit të saj, një person i cili ka rënë preh e lojës së saj. Për të qenë i sinqertë këta persona, nuk më kanë kërcënuar.

 

Si arriti Anjeza t’ju bindë që ju t’i jepnit paratë dhe të ju mashtronte siç thoni ju ?

Në shumë raste ajo shfrytëzonte Gentin që dilte garant, por edhe aftësinë e saj për të joshur njerëzit. Por veç të tjerash, ajo prezantohej në takimet e saj si mike e personaliteteve të larta. Ndër ta përmendte Ambasadoren zvicerane, atë franceze dhe Kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Në rrethana të tilla kush do mund të bjerë preh e mashtrimit.

 

Pas denoncimit që kryet në Prokurorinë e Tiranës, a patët ndonjë reagim nga Anjeza?

Jo nuk kam pasur asnjë reagim personalisht. Por Anjeza u mundua të bënte rolin e viktimës. Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit dhe institucioneve të tjera, bënte rolin e viktimës, sikur unë apo persona të tjerë e kishim kërcënuar apo se pengonim në përpjekjet e saj për të ndërtuar një biznes të ndershëm në Shqipëri. Një pjesë e punonjësve të tyre, ishin pa kontrata pune, pa pagesa të sigurimeve shoqërore, pa zbatuar procedurat e marrjes apo të largimit nga puna siç parashikon Kodi Civil.

 

Si do të veproni më tej ?

Unë kam prova, fakte dhe dëshmi të shumë personave njerëzve dhe dokumente që provojnë marrjen e parave nga Anjeza. Këto prova aktualisht i ka prokuroria e Tiranës, ku unë edhe kam depozituar kallëzimin tim ndaj kësaj gruaje.

 

* * *

Zani: “Më tha se do të më bënte aksioner, pasi më mori 50 mijë euro”

Pak ditë më parë gazetë “Shekulli” raportoi denoncimin e depozituar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nga Dashnor Zani 40 vjeç, me profesion jurist. Ky i fundit kishte denoncuar se Anjeza i kishte marrë në formën e borxhit dhe më pas me premtimin për ta bërë aksioner në kompani, një shumë prej 50 mijë eurosh. Menjëherë pas denocnimit Zyra e hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nisi hetimin dhe i referoi materialin në ngarkim të zviceranes 50 vjeçare, të cilën policia pritet ta thërrasë për të dhënë sqarimet dhe versionin e saj mbi pretendimin e denoncuesit.

Denoncimi i mësipërm u bë i ditur për “Shekullin”, nga burime të Drejtorisë së policisë së Tiranës të cilët thanë se Dashnor Zani, 40 vjeç, banues në lagjen Laprakë të Tiranës, në rrugën “Pandi Dardha”, kishte denoncuar me 9 prill të këtij viti, shtetasen zvicerane Maria (Maria Foure) Fure, e njohur edhe me emrin Anjezë Soma (Agnese Somma).  Dashnor Zani, denoncuesi i zviceranes pretendonte përpara hetuesve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, se zonja Fure, i ka marrë atij në formën e huasë një shumë prej 50 mijë eurosh, në këmbim të të cilave ajo do ta bënte aksionar në kompaninë IXY PRELUDE EVOLUTION”, e cila do të kishte aktivitetin e saj tregtar në një qendër të tillë që ndodhet në fshatin Lundër të Tiranës, vend në të cilin e ushtron edhe aktualisht aktivitetin.

“Në muajin nëntor të vitit të kaluar, unë kam nënshkruar një marrëveshje me zonjën Fure, duke përfaqësuar bashkëshorten time. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ne kemi rënë dakord që t’i paguanim në dorë zonjës Fure, një shumë prej 50 mijë eurosh”,- ka pohuar Zani në Polici. Po ashtu sipas tij veç shumës së parave të paguara në dorë, me datën 5 nëntor, pikërisht ditën e nënshkrimit të kontratës, ai kishte pranuar të jepte në formën e garancisë që në bashkëpunim me një person tjetër edhe një lokal i cili ishte vlerësuar në shumën e rreth 300 mijë eurove. Vetë Zani, pranoi në një bisedë për “Shekullin” mashtrimin sipas tij që kishte pësuar nga zvicerania të cilën e denoncoi me akuzën e mashtrimit.