Wollfarth: Të mos shtyhet më afati për reformën zgjedhore

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Mar 2012 ora 11:26am

Tiranë – Shefi i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, theksoi sot se reforma e Kodit Zgjedhor përbën një prej reformave vendimtare për çuarjen përpara të zhvillimeve demokratike në Shqipëri.Ai ishte i pranishëm në një tryezë për teknologjitë e reja të votimit dhe administrim zgjedhor, nga ku deklaroi në drejtim të reformës zgjedhore është bërë progres, por shtoi se ka disa çështje shumë të rëndësishme që mbeten ende për t’u diskutuar.“Kjo është arsyeja për të cilën nevojitet patjetër që të intensifikohet puna, në mënyrë që Komisioni të mund të ecë përpara me hapa më të shpejtë. Duhen bërë të gjitha përpjekjet që të shfrytëzohet si duhet afati tashmë i shtyrë, në mënyrë që ai të mos tejkalohet sërish. Gjithashtu, është e rëndësishme që çfarëdolloj reforme të përfundojë në kohë të konsiderueshme para zg jedhjeve parlamentare. Megjithatë, ndonëse koha është një faktor i rëndësishëm, ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja”, theksoi ai.Për kreun e OSBE-së në Tiranë, zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë. “U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i përqendrojnë energjitë e tyre në arritjen e një reforme të plotë, tërësore dhe përfundimtare. Ekzistenca e një vullneti politik dhe besimi të ndërsjellë është thelbësore. Pres me padurim të shoh nga Komisioni zgjidhje jetëgjata dhe në kohën e duhur, të cilat duhet të vijnë si rezultat i një pune konstruktive nga të gjitha palët”, shtoi.Wollfarth tha se çdo kod zgjedhor për të cilin do të bihet dakord duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të jetë më pranë angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve ndërkombëtare.  “Më lejoni të them se është absolutisht thelbësore që në këtë proces të ofrohet niveli më i lartë i besimit dhe vullnetit të mirë, në mënyrë që reforma të rezultojë e suksesshme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në një proces të frytshëm, të bazuar krejtësisht në dialogun ndërpartiak, respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e pakushtëzuar”, shtoi.