XHELOZIA PËR GRUAN, VRAU E DOGJI ME BENZINË TË VËLLANË

Nga Dorjan
Shkruar ne 12 Pri 2012 ora 2:58pm

LUSHNJE/ Krimi i rëndë në ‘98-n. Arrestohet bashkë me xhaxhanë.

Vrau e dogji vëllain 18 vjeç pasi dyshonte se e tradhtonte me të shoqen, zbulohet krimi katër vite më pas. Në kuadër të operacionit të koduar “Kthesa e Grabjanit”, Policia e Fierit bëri të ditur mbrëmë se janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes se Taulant Hamzait, vëllai dhe xhaxhai i viktimës, shtetasit Myslim Hamzai, 32 vjeç dhe Zabit Hamzai, 59 vjeç. “Pas një hetimi intensiv dhe bashkëpunimit të Policisë së qarkut Fier, Krimeve të Rënda në Tiranë si dhe Policia dhe Prokuroria e Lushnjës, u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur më 7 gusht 2008. Në vendin e quajtur ‘Tre urat’, në komunën Grabjan të Lushnjës, në afërsi të rrugës automobilistike, u gjet një kufomë e vrarë dhe më pas e djegur. Si rezultat, u bë i mundur identifikimi i kufomës, e cila i përkiste shtetasit Taulant Hamzai, 18 vjeç, banues në Grabian, Lushnjë, si dhe zbulimi e ndalimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit Myslim Hamzai, banues në Grabjan dhe Zabit Hamzai, lindur në Grabjan e banues në Tiranë”, bëri të ditur Policia. Dyshohet që në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë vrarë me mjete të forta dhe më pas e kanë djegur kufomën me qëllim mosidentifikimin e saj . Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se është dashur një punë intensive që të zbuloheshin autorët e krimit të rëndë, ku më së shumti janë përgjuar telefonatat e tyre. Sipas Policisë, shkak i këtij ekzekutimi në rrethana të tjera cilësuese ka qenë një motiv banal mes të afërmve. Por, burime nga fshati i lindjes së autorëve dhe viktimës bënë të ditur se Myslim Hamzai ka dyshuar në mënyrë të vazhdueshme se vëllai i tij 18-vjeçar kishte marrëdhënie me të shoqen. Pas konflikteve të vijueshme mes vëllezërve, më i madhi ia ka rrëfyer xhaxhait të tij situatën familjare. Pasi 59- vjeçari Zabit Hamzai është njohur me konfliktin për tradhtinë në vëllazëri, i ka thënë nipit të vrisnin 18-vjeçarin për të mbyllur njëherë e mirë turpin në fshat. “Viktima u gjet i masakruar me mjete të forta dhe të mprehta. Dy bashkëpunëtorët e kishin djegur me benzinë, me qëllim që të mos realizohej dot identifikimi i tij”, bënë të ditur burime të Policisë. Atë kohë grupi hetimor, pasi kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, nga këqyrja e kufomës doli në konkluzionin se viktima ishte torturuar, çka fliste për një hakmarrje të mundshme. Nën hetim ishin edhe persona të afërm të familjes që vinte nga komuniteti rom. Kanë qenë pikërisht telefonatat dhe vizitat e shpeshta mes nipit dhe xhaxhait ato që çuan në zbardhjen e ngjarjes makabre. “Ngjarja tronditi të gjithë fshatin. Askush nuk mund ta mendonte se vëllai dhe xhaxhai mund të masakronin e të digjnin Taulantin. Ne kemi qenë në dijeni të konflikteve mes vëllezërve, pasi i madhi dyshonte te vëllai më i vogël se kishte marrëdhënie intime me gruan e tij. Ajo ngjarje ende nuk është harruar në fshat”, u shpreh një banore e fshatit Grabjan.