Zbulohet pilula që do fshijë kujtimet e këqija

Nga Dorjan
Shkruar ne 19 Mar 2012 ora 10:55pm

Përvojat traumatike së shpejti do t’i takojnë së kaluarës falë zbulimit më të ri të shkencëtarëve britanikë.

Hulumtuesit në Universitetin në Leicester kanë zbuluar pilulën e cila do t’i ndihmojë të gjithë ata që nuk mund të largojnë kujtimet e ndonjë ngjarjeje traumatike, të tilla si aksidentet e trafikut ose fobitë e ndryshme.

Për të prodhuar këtë pilulë, shkencëtarët është dashur të zbulojnë mënyrën me të cilën truri ynë përballet me stresin. Hulumtimi është kryer në minj në trurin e të cilëve me inxhinieri gjenetike u është mundësuar krijimi i proteinës lipokalin-2. Është dëshmuar që minjtë e këtillë kanë reagim shumë më serioz në stres se sa minjtë te të cilët niveli i kësaj proteine ishte normal.“Disa ngjarje stresuese do duhej të harroheshin sa më shpejt ose mund të na krijonin ndjenja të forta të ankthit në të ardhmen. Në trurin tonë zgjat konflikti i vazhdueshëm i forcave që qëndrojnë pas asaj se çka duhet të mbajmë mend dhe çka duhet të harrojmë”, ka thënë dr. Robert Pawlak, udhëheqësi i studimit.Shkencëtarët pohojnë që janë të nevojshme hulumtime tjera shtesë për të vërtetuar që rritja e nivelit të proteinës lipokalin-2 në të vërtetë ndihmon në luftë me kujtimet e këqija. Nëse kjo del e vërtetë, këtë pilulë mund ta presim në barnatore brenda 10 vjetëve të ardhshëm. Ka shumë mundësi që po ky hulumtim do të çojë edhe drejt mënyrave të reja dhe më të mira të shërimit të depresionit.“Çrregullimet që kanë lidhje me stresin janë jashtëzakonisht të shpeshta dhe nga to vuan gati një e treta e popullsisë”, pohon dr. Pawlak.Fshirja e kujtimeve është temë e cila që tashmë një kohë të gjatë fascinon autorët e librave dhe skenaristët e filmave. Një nga filmat më të mirë të dekadës së kaluar, “Eternal Sunshine of the Spotless Mind” merret pikërisht me këtë temë.Manipulimi me kujtimet dhe përvojat tona është temë rreth së cilës janë ndarë shkencëtarët dhe ata që merren me etikën. Derisa njëra palë pohon që do të ishte e shkëlqyeshme sikur njerëzit do të mundeshin të harrojnë disa ndodhi të tmerrshme, siç janë viktimat e përdhunimit, të tjerët konsiderojnë se si edhe përvojat e këqija janë ato që na formojnë si person, dhe që kurrsesi nuk guxojmë të luajmë rolin e Zotit.