ZHDUKEN DY ANIJE NGA BAZA E PASHALIMANIT

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Pri 2012 ora 2:19pm

Ristrukturimi i Forcës Detare i prezantuar së fundmi nga Ministria e Mbrojtjes duket se ka nevojë të marrë në konsideratë një çështje kryesore, siç është disiplina dhe ruajtja e mjeteve që ka ende në inventar. Së fundmi, sipas burimeve nga Baza e Pashalimanit, dy anije që dikur i përkisnin Flotës Luftarake Detare janë zhdukur nga stacionimet e quajtura Raguza 1 dhe Raguza 2. Me distancë 1.5 km nga Pashalimani, anijet në fjalë, me peshë 200 tonë së bashku, nën inventar të Flotiljes së Jugut janë parë për herë të fundit në fund të vitit 2011 për t’u zhdukur nga ekzistenca e tyre e mbetur e për t’u kthyer në skrap.

Sikundër bëhet e ditur, anijet në fjalë janë vendosur në këto stacionime për shkak të daljes jashtë gjendjes së gatishmërisë luftarake dhe në të vërtetë ishin destinuar për tu kthyer në skrap. Disa prej tyre janë transferuar në këto pika që në vitin 1997 kur baza u sulmua dhe doli jashtë kontrollit ushtarak. Anijet e vendosura aty përfshinin dy gjuajtës të mëdhenj sovjetikë, një cisternë uji dhe 1 katër kufiri, një model anijeje e vogël njësoj si katri i Radës që u mbyt në 28 mars 1997. Tonazhi i anijeve në fjalë në total shkon në 600 dhe për këtë arsye shifra e supozuar e përfitimit nga skrapi është disa milionë lekë.

Problemi i fshirjes nga ekzistenca të këtyre anijeve lidhet me faktin se ato do të shkatërroheshin pasi Ministria e Mbrojtjes të bënte tenderimin dhe të zhvillonte procedurat normale. Në fakt një gjë e tillë nuk është bërë dhe anijet janë shkatërruar përballë bazës së Pashalimanit që ia administron dhe pa asnjë vendim të posaçëm. I kontaktuar nga Shekulli, drejtuesi aktual i Forcës Detare, zv.komandanti i saj, Ferdinand Kreshpani tha se “nuk jam në dijeni të zhdukjes së këtyre anijeve. Ato janë jashtë gatishmërisë luftarake dhe janë vendosur aty pikërisht për këtë arsye. Do të kthehen në skrap pasi të bëhet tenderi, por tenderi bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave”.

Po në këtë linjë, sipas tij “deri më tani nuk ka një vendim për kryerjen e tenderit”. Humbje ekonomike për Ministrinë ,por edhe një çështje që ngre shumë dyshime të reja mbi atë se çfarë ndodh realisht në ushtri. Kështu mbetet e pashpjegueshme sesi anije të mëdha, shkatërrohen për skrap dhe transportohen me makina të mëdha dhe askush të mos ketë dijeni. Në analogji me këtë rast, vjedhja e baterive të nëndetëseve u konstatua dhe u denoncuam ndërkohë që edhe si proces në vetvete shkatërrimi është shumë më i gjatë në kohë dhe nuk mund të mos vihet re.

Deklarimi i Kreshpanit për Shekullin, dëshmon nga ana tjetër se “avullimi” në Raguzën 1 dhe Raguzën 2 është bërë në heshtje ose është mbuluar me heshtje nga ata që kanë përgjegjësinë për të ruajtur deri në eliminim përfundimtar anijet e dala jashtë gatishmërisë. Ndërkohë, duhet shtuar se në Pashaliman, teksa humbasin anije të vjetra, prodhohen të reja meqenëse edhe 4 njësitë e vëna në dispozicion të Flotës janë ndërtuar nga një kompani holandeze pikërisht në këtë bazë.

 

Ristrukturimi

Pashalimani parashikohet të mbetet baza kryesore e Forcës Detare shqiptare.  Madje në këtë rajon edhe me planin e ri të përhapjes do të vendosen anijet të Forcës Detare meqenëse aty janë ruajtur kapacitetet mbështetëse. Katër anije të ndërtuara së fundmi u trumbetuan si arritje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes e cila gjendet aktualisht në një proces rishikimi të Flotës. Nëse realizohet realisht ai plan përhapjeje që sugjeron shkrirjen e Flotiljes së Veriut, atëherë ndoshta është me vend të sugjerohet se një seri anijesh të periudhës sovjetike dhe kineze me gjasë mund të kalojnë sërish për skrap. Procesi i shkatërrimit të njësive lundruese të Flotës ka përfshirë më herët bazën e Sarandës, e kthyer prej vitesh më shumë  në një stacion depozitash nafte, ka vijuar me nëndetëset në Pashaliman, si njësia kryesore e Flotës, ecën më tej me njësitë e tankeve dhe në finale me demontimin e municioneve. Është një proces zinxhir çarmatimi i cili konvertohet në shuma të mëdha parash meqenëse materiali i përfituar është i riciklueshëm.

 

 

Hetim për vjedhjen e 316 tonë skrap nga nëndetëset

Skandal në zemër të Forcës Detare, në Bazën e Pashalimanit. Kjo ka ndodhur gjatë “funeralit” të nëndetëseve, kur është shkelur edhe kodi ushtarak nga përgjegjësit e bazës. 316 tonë metal rezulton të jenë zhdukur gjatë operacionit të eliminimit të tyre. Prokuroria e Vlorës nis hetimin për “vjedhje” dhe “shpërdorim detyre” nga drejtues të Bazës së Pashalimanit.

 

Hetimi

Dhjetë ditë më parë, pas kallëzimit të policisë ushtarake, prokuroria ka nisur hetimin e dosjes me të dhënat që flasin për mungesën e një sasie të konsiderueshme metali. Çështja do të ishte varrosur arkivave të ushtrisë, nëse nuk do të ankohej firma fituese e tenderit të skrapit. Nëndetëset, katër mjetet nënujëse që i shpëtuan shkatërrimit gjatë largimit të rusëve dhe u mbajtën në punë për dekada nga marina jonë, u kishte ardhur koha që të shkonin për skrap. Qeveria vendosi që vetëm njëra prej tyre të ruhej si objekt muzeal, ndërsa tre të tjerat të shiteshin. Por fituesja e tenderit, kur ka bërë bilancin nuk ka i kanë dalë mirë llogaritë. Mungesa e metalit të nëndetëseve, sipas burimeve të sigurta nga Ministria e Mbrojtjes, u bë problem deri në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë.

Burime nga organi i akuzës në këtë qytet bëjnë të ditur se në bazë të kallëzimit të kryer është hapur procesi hetimor i cili përfshin ndër të tjera edhe përfaqësues të bazës detare të Pashalimanit.  Ky është hapi që hidhet në raport me një proces të denoncuar ndër të tjera publikisht nga gazeta “Shekulli”. Ndërkohë, dosja hetimore merr shkas nga një kallëzim i kryer në vitin 2007 nga reparti Ushtarak nr. 2240, i cili pasi ka konstatuar vjedhjen e kryer, i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Vlorës.

 

Komandanti i Forcës Detare

Në dijeni të çështjes është aktualisht edhe Ministria e Mbrojtjes,  e cila përveç procedurave të hapura, disponon një relacion sqarues rreth procesit të kthimit në skrap të nëndetëseve nga ana e ish-komandantit të bazës, Ferdinand Kreshpani. Duke nisur me renditjen e faktorëve që kanë çuar në këtë reduktim të masës së metalit, ai ka fiksuar sidomos vjedhjet në vitin 1997 kur baza ka qenë pa ruajtje, korrozionin si faktor kryesor, por edhe përfshirjen në kontratë të baterive të nëndetëseve. Sikundër shprehet ai në relacionin përkatës, përveç të gjithë këtyre faktorëve “mbetet e paqartë vendosja e tonazhit prej 610 tonë për një nëndetëse pasi mund të jetë llogaritur edhe pesha e baterive të hequra nga nëndetëset dhe të vendosura në afërsi të Parkut të transportit në Pashaliman, të cilat janë vjedhur në vitin 2007”. Mbi këtë material nis aktualisht edhe procesi hetimor, i cili nuk dihet se ku do e gjejë fundin, meqenëse sikundër shihet, Komanda e Forcës Detare ka përfshirë në termat e kontratës edhe pjesë të deklaruara si të vjedhura. Më qartë Kreshpani ka specifikuar se “tonazhi i skrapit plumb të baterive për 4 nëndetëset është 408 tonë për çdo nëndetëse”. Nëse ndiqet filli i proceseve të zbatuara, një sqarim do të kërkonte edhe hartimi i kontratës, por për këtë çështje gjithsesi Ministria e Mbrojtjes nuk ka ngritur ndonjë shqetësim.