Zogu i kërkoi Titos 8000 kosovarë për rrëzimin e Hoxhës.

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Apr 2012 ora 2:53pm

TIRANE-Dokumenti i sotëm që vjen nga Arkivat e Deklasifikuara Amerikane dhe që vazhdon të sjellë informacion mbi bashkëpunimin e ish-Mbretit Zog me liderin e njohur komunist jugosllav Tito, ofron detaje të reja mbi bisedimet që bëheshin në pranverën e 1952-it midis dy palëve.

Dokumenti është një raport ditor i hartuar për drejtuesit e lartë të OPC, Drejtoria e famshme e CIA-s që merrej me Operacionet Klandestine dhe tregon disa detaje mjaft interesante. Fatkeqësisht, ashtu si edhe në dokumente të tjera të dala nga ky arkiv, emrat e personazheve amerikanë të OPC janë të fshirë dhe në këtë mënyrë e kemi paksa të pamundur për të kuptuar dinamikën e zhvillimeve brenda Drejtorisë së OPC, e cila drejtonte Operacionet Klandestine kundër Shqipërisë. Megjithatë, nga dokumenti i botuar sot, shikojmë se amerikanët kanë pasur mjaft interes për të vëzhguar negociatat e ish-Mbretit shqiptar me liderin komunist të Jugosllavisë, Tito. Nga burime agjenturore të rrjetit amerikan në Turqi, ata informohen mbi përbërjen e delegacionit të Zogut, i cili përbëhet nga një turk me emrin Tozani, Irfan Bej Ohri, një pasues i njohur i Zogut si dhe ish-Konsulli i Mbretërisë, Avni Dërhalla, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Sekret Britanik me mision informimin e britanikëve mbi mërgatën shqiptare të Turqisë. Nëse Avni Dërhalla ka pasur akoma në këtë periudhë lidhje me Shërbimin Britanik apo jo, nuk ka ndonjë të dhënë të saktë për të gjykuar nëse britanikët ishin në dijeni të këtyre negociatave.

Megjithatë, surpriza më interesante e këtij dokumenti është fakti se sipas burimit të amerikanëve, delegacioni shqiptar i Zogut ka qenë i autorizuar për t’i kërkuar Titos armatosjen dhe përgatitjen ushtarake të 8000 kosovarëve me të cilët Zogu shpresonte të hynte në Shqipëri. Ideja e Zogut për krijimin e një ushtrie private me kosovarë nuk ishte e re. Dihet se Zogu kishte ardhur në fuqi me ndihmën jugosllave edhe në të kaluarën. Megjithëse faktorët politikë ishin shumë të ndryshëm, përsëri Zogu shpresonte në një aleancë me komunistët jugosllavë për t’u rikthyer edhe një herë në Fronin Shqiptar. Dokumenti i botuar sot, tregon qartë idenë dhe kërkesat që ish-Mbreti shqiptar kishte ndaj Titos, por fatkeqësisht nuk kemi një dokument i cili sjell mendimin e Titos mbi këto kërkesa. Pavarësisht kësaj, një analizë e kujdesshme mund të na bëjë të besojmë se Tito nuk mund të ketë qenë shumë i gatshëm për të përmbushur dëshirat e ish-Mbretit shqiptar edhe pse një forcë paraushtarake kosovare e rekrutuar nga Tito, do të ishte një garanci e madhe për një qëndrim pro jugosllav të Mbretit shqiptar nëse ai vinte në pushtet. Elementi kosovar, i njohur për problemet e shumta që i sillte faktorit serb në pushtet, do të ishte një problem i madh për Titon nëse ai do të dërgohej me mision rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Përfshirja e amerikanëve në këtë mision i komplikonte edhe më shumë gjërat, pasi Tito do ta kishte të vështirë për të kontrolluar rrjedhjen e ngjarjeve në Shqipëri nëse ky mision në fjalë do të kishte sukses. Në këtë mënyrë, forcat kosovare të armatosura dhe të përgatitura prej tij, mund të sillnin probleme nëse Zogu vinte në pushtet dhe mbështetej nga amerikanët për t’u ringjitur në fronin e lënë bosh pas ikjes së turpshme të 1939-ës. Në rast se Zogu do të vinte në pushtet dhe do të garantonte një Shqipëri projugosllave lidhja e tij me amerikanët si sponsorizuesit kryesorë të kësaj aventure do ta bënte atë më të paqëndrueshëm në marrëdhëniet me jugosllavët. Përvoja historike e marrëdhënieve të Zogut me jugosllavët për ndihmën që ata i kishin dhënë për të ardhur në pushtet, nuk ishte shumë pozitive dhe me sa duket për të garantuar besnikërinë e Zogut ndaj jugosllavëve, Tito i kërkon Zogut përfshirjen në qeverinë e ardhshme të një numri personash të njohur si besnikë të çështjes jugosllave. Se kush ishin ata dhe se çfarë kërkoi Tito në shkëmbim të kërkesës së Zogut, do ta lexojmë në numrin e ardhshëm, i cili do të sjellë surpriza të reja me botimin e dokumentacionit të deklasifikuar nga Arkivat Amerikane.
Dokumenti
Memorandum për: Zv.Drejtorin e Koordinimit të Politikave, SE
Lënda: Progres-raporti ditor për të mërkurën, 28 maj 1952
BGFIEND: Një kabull nga ( ) na këshillon se ( ) Sekretari i BGFIEND shkoi në Romë në 27 maj për të bashkëbiseduar me ( ) për shkëmbimin e informacionit midis ( ) dhe ( ) IN 46418
Një kabull prej ( ) raporton informacionin e mëposhtëm nga Tozani nëpërmjet një burimi turk: Takimi midis përfaqësuesve të Mbretit Zog dhe atyre jugosllavë, do të mbahet jo më shpejt se 28 maji dhe ndoshta edhe pak më vonë.
Përfaqësuesit e Zogut janë Safet Lutfi Tozani, Irfan Bej Ohri dhe Anvi Dërhalla. Ata janë instruktuar që të përpiqen që të marrin nga Tito premtimin për të armatosur dhe trajnuar 8000 shqiptarë në Jugosllavi.
Nëse kjo nuk është e mundur përfaqësuesit e Zogut duhet t’i sugjerojnë Titos nëse është e mundur që këta shqiptarë të armatosen dhe trajnohen nga amerikanët jashtë Jugosllavisë.
Përfaqësuesit e Zogut janë të autorizuar që t’i garantojnë Titos se nëse këta shqiptarë në Jugosllavi do të armatosen dhe trajnohen sa më shpejt, regjimi shqiptar do të rrëzohet në shtator të 1952-it.